Historia ime që nisi në 2021
Rrugëtimet më të bukura shpesh nisin pa shumë zhurmë, ndonjëherë edhe nga një kuriozitet i thjeshtë. Kështu nisi edhe historia ime në botën digjitale – në vitin 2021, kur vendosa të regjistrohem në një kurs për menaxhimin e rrjeteve sociale, me mentoren Helga Cacani.
Në atë kohë nuk kisha një plan të qartë. Ishte më shumë një ndjesi, një interes për të kuptuar më shumë rreth mënyrës sesi funksiononin Instagram-i, Facebook-u dhe komunikimi online në përgjithësi. Nuk e dija ende që po hidhja hapin e parë drejt një karriere që do të ndikonte të ardhmen time profesionale.
Nga kuriozitet në pasion dhe profesion
Gjatë atij kursi kuptova që menaxhimi i rrjeteve sociale nuk është thjesht të postosh foto apo të shkruash një përshkrim të bukur. Pas çdo postimi fshihet një strategji, një analizë audience, një kombinim mes kreativitetit dhe qëllimit.
Me kalimin e kohës, fillova të zbatoja njohuritë në projekte reale – në fillim për klientë të vegjël, pastaj për biznese më të mëdha. Çdo hap më mësonte diçka të re. Më shumë se një titull pune, Social Media Manager u bë një shkollë praktike për mua: më mësoi si të analizoj, si të ndërtoj një markë, si të flas me audiencën dhe si të shes pa bërë presion.
Aftësi që më shërbyen përtej social media-s
Ajo që më habiti ishte fakti se kjo eksperiencë nuk më shërbeu vetëm për të menaxhuar profile, por për të ndërtuar një bazë solide në marketingun digjital në tërësi:
- Mësova të krijoj përmbajtje me qëllim dhe impakt.
- Kuptova rëndësinë e brand storytelling.
- Mësoj të përdor mjete si Canva, Meta Business Suite, Creator Studio dhe më pas platforma më të avancuara si Google Analytics, Meta Ads Manager, etj.
- Fitova siguri në punën online dhe fillova të ofroj shërbimet e mia si freelancer.
Sot: Nga menaxhimi i rrjeteve sociale, tek ndërtimi i një pranie të plotë digjitale
Pas më shumë se 3 vitesh eksperiencë, sot shikoj qartë se ajo që nisi si një hap i vogël nga kureshtja, u kthye në një bazë shumë të fortë për çdo shërbim që ofroj sot në fushën digjitale: që nga krijimi i përmbajtjes, strategjia, konsulencat për brand-et e reja, deri tek ndihma që u jap të tjerëve për të nisur rrugëtimin e tyre.
Nëse do të më pyesnit në 2021 nëse do të ndërtoja një karrierë online, ndoshta do të qeshja me idenë. Por sot, jam krenare që i besova intuitës sime dhe hapa një derë që më ndryshoi rrugën profesionale.
Për ty që po mendon të fillosh: fillo, edhe pa qenë gati!
Nëse je duke lexuar këtë dhe ndihesh e pasigurt nëse marketingu digjital është për ty… fillo! Ndoshta as ti nuk do e dish në fillim ku të të çojë ajo rrugë. Por çdo hap që bën me kuriozitet dhe përkushtim, do të të çojë më afër asaj që je thirrur të bësh.
💡 Në fund të fundit, ajo që duket si një hap i vogël sot, nesër mund të jetë themeli i një karriere të madhe.

Leave a comment